AGREE! – Veprim për të Drejtat e Vajzave për Barazi dhe Fuqizim është një nismë rajonale e financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të mekanizmit IPA III. Ajo zbatohet në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi, me qëllim promovimin e barazisë gjinore, parandalimin e dhunës me bazë gjinore tek të rinjtë dhe fuqizimin e vajzave dhe grave të reja përmes përfshirjes së shoqërisë civile, forcimit të kapaciteteve dhe avokimit gjithëpërfshirës në politikëbërje.
Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të mbështesë dhe inkurajojë pjesëmarrjen e shoqërisë civile në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të vajzave dhe grave, me fokus të veçantë në:
-Forcimin e praktikave kundër diskriminimit;
-Nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe kohezionit social
-Mbështetjen e zhvillimit të nismave të udhëhequra nga të rinjtë dhe programeve të edukimit mes bashkëmoshatarëve;
-Promovimin e fuqizimit ekonomik të vajzave dhe sfidimin e stereotipeve të dëmshme gjinore.
Projekti synon krijimin e një rrjeti rajonal të shoqërisë civile dhe forcimin e përpjekjeve për avokim dhe ofrim shërbimesh në nivel kombëtar, përmes qasjeve të bazuara në evidenca. Në Shqipëri, zbatimi i projektit udhëhiqet nga organizata “Gruaja tek Gruaja”, e cila koordinon aktivitetet në partneritet të ngushtë me organizata bazë, institucione arsimore dhe struktura të qeverisjes vendore.