Partneritet dhe Rrjetëzim

“Gruaja tek Gruaja” koordinon punën mes strukturave të zbatimit të ligjit dhe agjencive të tjera partnere sic janë organizatat jo fitimprurëse të përfshira në luftën kundër dhunës në familje dhe trafikimit të personave duke shënuar një bashkëpunim të mirë me pushtetin vendor dhe organizatat partnere të shoqërisë civile.

”Gruaja tek Gruaja” është pjesë e AWEN (Rrjeti për Fuqizimin e Gruas në Shqipëri) duke bashkëvepruar shkëmbime të ndryshme eksperiencash brenda rrjetit si dhe aplikime të përbashkëta në partneritet me anëtaret e rrjetit, WAVE Network (Women Against Violence Europe), ”Regional Network of Young Feminists” Nis, si dhe Komitetit Rajonal Antitrafik. “Gruaja tek Gruaja” është një partner i rëndësishëm i Bashkisë Shkodër (Drejtoria e Shërbimeve Sociale, Strehimit dhe Shëndetit) duke asistuar me ekspertizën e saj në hartimin e planit social të veprimit si dhe në ndihmesën për t ofruar shërbime të specializuara në komunitet.

Një nga partnerët lokal me të cilët organizata bashkëvepron ngushtësisht është Qendra Rinore “Arka” në bashkëpunim me të cilën zhvillohen dhe organizohen aktivitete me në fokus të rinjtë. Në vazhdën e punës disa vjeçare organizata shënon praktika të mira bashkëpunimi në implementimin e projekteve të përbashkëta me organizata partnere në Bosnje-Herzegovinë (“ViveZene”, “Zemlja Djece” and “Buducnost”).

Krahas kësaj “Gruaja tek Gruaja” ka një bashkëpunim të ngushtë specifikisht me “Strehëzën për gra dhe vajza në Tiranë” si dhe “Vatra” në Vlorë për referimin dhe orientimin e rasteve të dhunës në familje si dhe trafikimit me qëlim zgjidhjen e tyre.

Donatorët

Fushatat ndër vite…

Advokaci dhe Lobim

“Gruaja tek Gruaja” ka qënë pjesë e proceseve advokuese, monitoruese dhe lobuese në nivel lokal dhe kombëtarë. Me iniciativen, përkrahjen dhe lobimin e vazhdueshëm në strukturat vendore është bërë e mundur hapja e strehëzës për viktimat e dhunës në familje në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.505, datë 13. 07. 2011 për “Standartet e Shërbimeve Të Përkujdesit Shoqërorë për Viktimat e Dhunës në Familje, në Qëndrat Rezidenciale Publike dhe Jopublike, në një ambjent të siguruar nga Bashkia Shkodër, i cili më pas u rikonstruktua me ndihmën e donatorëve të huaj.

Me miratimin e reformës territoriale i është kushtuar një vëmëndje e vecantë mënyrë së funksionimit të mekanizmit të referimit, kryesisht pranë njësive administrative. “Gruaja tek Gruaja” po lobon në vazhdimësi për forcimin edhe më tej të mekanizmit të referimit në Shkodër si dhe po hedh baza për krijimin e një sistemi të tillë të referimit në Bashkitë e Malësisë së Madhe, Pukës dhe Vau Dejës. Krahas kësaj “Gruaja tek Gruaja” do të implementojë një strategji të sajën për bashkëpunimin dhe përfshirjen e institucioneve lokale në realizimin e aktiviteteve si dhe do të finalizojë një manual specifik për mënyrën e funksionimit të mekanizmit të referimit protokollimit dhe ndarjes së përgjegjësive në bazë të procedurave të rregullta.

Krahas kësaj “Gruaja tek Gruaja” ka lobuar në nivel vendor në mbështetjen financiare nga organizmat shtetërore vendore në organizimin dhe implementimin e aktiviteteve të përbashkëta. Kështu Bashkia Shkodër, në kuadër edhe të një partneriteti të suksesshëm me organizatën ka mbështetur financiarisht disa aktivitete ndërgjegjësuese kryesisht gjatë fushatave sensibilizuese.

Në nivel kombëtarë nën koordinimin e AWEN (Rrjeti për Fuqizimin e Gruas në Shqipëri) Gruaja tek Gruaja bashkë me organizatat e tjera pjesë e rrjetit ka qënë pjesë e procesit të lobimit për të hartuar ligjin për marrdhëniet familjare ku u mblodhën 20 mijë firma që detyronin parlamentin shqiptar ta miratonte. Ligji u mor nga legjislacionet më të mira perëndimorë, dhe kohë pas kohe janë hartuar dhe akte nënligjore për plotësimin e tij.Një nga gjërat më të rëndësishme është krijimi i mekanizmit të referimit në të gjitha njësitë vendore që i jep detyrë të caktuar punonjësve të shtetit që nga njësia bashkiake, sistemi arsimor, shëndetësor, policia, gjykata të gjitha organizmat që kanë një mundësi për të kontribuar ndaj luftës kundër dhunës në familje. Po kështu “Gruaja tek Gruaja” nën koordinimin e AWEN ka qënë pjesë e një sërë aktivitetesh dhe procesesh të ndryshme që lidhen me politikat e EU si dhe legjislacionin mbi të drejtat e njeriut (aktivitete të tilla si konferenca,workshop,etj) të organizuara dhe të planifikuara nga institucione qeveritare në rang kombëtarë. “Gruaja tek Gruaja” ka dhënë inpute konkrete për Progres Raportin e Delegacionit të Shqipërisë në BE mbi të drejtat e grave specifikisht mbi: pjesëmarrjen e grave në proceset politike dhe vendimarrëse. Gjithashtu ka qënë pjesë e grupeve të këshillimit pranë Ministrisë së Integrimit duke bashkëndarë cështje që lidhen me përfshirjen cështjeve të grave në proceset këshillimore për shoqerinë civile në raportet e Komisionit Europian.