Zyra për Djem dhe Burra (ZDB) është një zyrë e re shërbimesh keshillimi për burrat e dhunshëm që ofrohet për herë të parë në të gjithë Shqipërinë,ndjekur nga “Linja e Këshillimit për Burra dhe Djem” Tiranë. ZDB synon reduktimin e dhunës në familje me fokus rehabilitimin e dhunuesve, ndërgjegjësimin dhe edukimin e të rinjve si dhe angazhimin e baballarëve me një përqasje kundër dhunës në familje. Zyra për Djem dhe Burra (ZDB) ka filluar aktivitetin e saj në Korrik të vitit 2014. Ky shërbim lindi si një nevojë e plotësimit të shërbimeve komplementare të ofruara nga organizata “Gruaja tek Gruaja” .ZDB është pjesë e sistemit të referimit në nivel lokal. Zyra përbëhet nga pesë persona (tre këshillues dhe dy punonjës social) të specializuar në ofrimin e sherbimeve të këshillimit.
Zyra për Djem dhe Burra ofron:
a. këshillim individual falas për djem dhe burra me sjellje të dhunshme
b. asistencë në menaxhimin e kontrollit, konflikteve dhe sjelljeve agresive
c. konfidencialitet
d. ndërgjegjësim përmes medias së shkruar dhe vizive
Kush perfiton nga keshillimi i dhunuesit
Keshillimi psikologjik, është i vetmi shërbim, nga i cili përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë viktimat dhe dhunuesi. Nëpërmjet ofrimit të shërbimeve të këshillimit rriten mundësitë që viktimat të mos përjetojnë më dhunë duke ndikuar në përmirësimin e klimës dhe rritjen e sigurisë në familje.
Shërbimi i këshillimit ndihmon drejtpërdrejt dhunuesin, i cili asistohet në një numër të caktuar seancash me qëllim ndërprerjen e akteve të dhunshme. Ky shërbim i vjen në ndihmë edhe të gjithë sitemit të ndërhyrjes në luftën kundër dhunës në familje, duke shtuar një qasje të re në zvogëlimin e fenomenit dhe rritjen e sigurisë për pjestarët e familjeve të prekur nga episode të dhunës.