Klinika ligjore

“Gruaja tek Gruaja” ofron asistencë ligjore falas, përfaqësim në gjykatë dhe në organet e administratës publike, për gratë e që kanë përjetuar forma të ndryshme abuzimi dhe dhune, në çështje civile, penale, administrative, si dhe për çështje të kompensimit të tyre, në rastin e shkaktimit të dëmit. Seicilit rast të paraqitur i ofrohen shërbime juridike falas (këshillim, asistencë si dhe përfaqësim ligjor) si dhe i jepet ndihmë në përgatitjen e dokumentacionit (kërkesë për Urdhër Mbrojtje, Urdhër i Menjëhershëm Mbrojtje, kërkesë padi, procedura divorci etj).

Klinika Ligjore për gra dhe vajza të dhunuara i brendashkruhet shërbimit ligjor duke ofruar konsulencë, asistencë dhe mbrojtje juridike falas. Ofrimi i mbrojtjes ligjore realizohet nga avokatë dhe studentë pro-bono të Fakultetit të Drejtësisë, Shkodër, të trajnuar lidhur me zbatimin dhe bërjen realitet të ligjeve me fokus të veçantë gender.
Ata asistojnë viktimat e dhunës në familje duke i informuar mbi procedurat ligjore, afatet kohore proceduriale të proceseve gjyqësore. Po kështu studentët e klinikës ligjore ndërmarrin fushata ndërgjegjësuese informuese (fshat/qytet, gra/burra, të rinj/të reja të grupmoshave të ndryshme) lidhur me edukimin ligjor si dhe ndërmarrin inisiativa e studime të ndryshme lidhur me statusin e punonjësit social/psikologut në procesin gjyqësor dhe pranë organeve të drejtësisë.